Muzikanti i njohur shkodran, Kujtim Alija është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare. Ai vuante prej vitesh nga një sëmundje e rëndë.
Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, me anë të një postimi në rrjete sociale.
“Dita e sotme ka nisur me një lajm shumë të trishtë! Mjeshtri i Madh Kujtim Alija është ndarë nga jeta! Një humbje e jashtëzakonshme për artin e kulturën shqiptare, për Shkodrën e Shqipërinë. Nuk gjej fjalë për të përshkruar këtë ikje shumë të parakohëshme të mesuesit tim, të mësuesit të të gjithë fëmijëve, të mjeshtrit të madh Profesor Kujtim Alija. Pushofsh në paqe Mjeshtër i Madh, ngushellime familjes Alija për këtë humbje”, ka shkruar ajo.
Kujtim Alija ishte një dirigjent i njohur shkodran, i cili ka mbajtur titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që drejtonte qendrën kulturore të Shkodrës. Ai vinte nga një familje intelektualësh, të cilët e donin arsimin dhe artin.
