Nga Shqipëria / E Enjte 26 Gusht 2021, 12:12

Rama: Nuk bëhet fjalë të nxjerrim studentët për strehimin e refugjatëve afganë

Afganët do të qëndrojnë në Shqipëri për 1 vit dhe duhet thënë se ky lajm ka shqetësuar studentët, pasi është thënë që ata do të strehohen në konvikte e atyre do iu duhet të dalin jashtë.

Mirëpo, kryeministri Rama ka deklaruar këtë të enjte se diçka e tillë nuk do të ndodhë. Ai është shprehur se strehimi i afganëve do të jetë i përkohshëm, për aq kohë sa studentët nuk janë në godina.

“Në të gjitha rastet, që të jeni të qartë të gjithë, nuk bëhet fjalë për të nxjerrë studentët e për të sjellë refugjatët afganë. Bëhet fjalë për të shfrytëzuar këtë dritare kohe para se të vijnë studentët”, ka deklaruar Rama.

Ekziston mundësia që ata të mos strehohen fare në konviktet e Tiranës, për shkak të procedurave të ngadalësuara për evakuimin e tyre. Në këtë rast, afganët do të akomodohen menjëherë në strukturat hoteliare në zonat bregdetare.