Kryeministri Rama ka dhënë një intervistë për emisionin radiofonik “The World Tonight”, në BBC ku ka folur lidhur me situatën me afganët dhe faktin që Shqipëria ka vendosur që të pranojë disa prej tyre në vendin tonë.
Rama ka theksuar se shqiptarët ishin si afganët rreth 30 vite më parë, ndërsa ka shtuar se tashmë është çasti për t'i ndihmuar ata.
I pyetur nëse pranimi i afganëve do të jetë barrë e rëndë për Shqipërinë, kryeministri Rama ka thënë se vendi ynë ka parë shumë luftëra dhe nuk është dëmtuar financiarisht nga pranimi i refugjatëve.
"Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës sesa përpara saj dhe arsyeja ishte se në Shqipëri ne kishim një kod nderi, që thotë se nuk ka turp më të madh në jetë se të dorëzosh mikun. Kështu, hebrenjve këtu iu dha strehë dhe është një nga faqet më të bukura të historisë sonë. Së dyti, ne ishim afganët disa dekada më parë, kur u larguam nga Shqipëria, kështjella e Koresë së Veriut të Evropës, nën një diktaturë brutale dhe trokitëm në dyert e të tjerëve dhe u mirëpritëm. Sigurisht, me shumë vështirësi, por, në thelb, u mirëpritëm. Së treti, sepse mendoj që duhet ta bëjmë edhe për fëmijët tanë. Fëmijët tanë duhet të kuptojnë se kjo është bota ku jetojmë. Ne mund të mos jemi të pasur, po nuk mund t’ia lejojmë vetes ta kemi kujtesën të shkurtër.
Mos harroni një gjë se në Evropën Perëndimore njerëzit i kanë harruar luftërat. Luftërat për ta janë thjesht dokumentare në Netflix. Për ne, luftërat kanë qenë këtu dhe kemi parë luftëra. Kemi parë tmerret e luftës dhe na është dashur të ofrojmë strehë në Shqipëri jo shumë kohë më parë. Asokohe, unë isha ministër i Kulturës, kur strehuam rreth gjysmë milioni refugjatë nga Kosova, të cilët po i iknin spastrimit etnik. Mbijetuam, ja ku jemi. Nuk jemi vend i pasur, por ja ku jemi sërish, kështu që financiarisht, moralisht e në gjithçka nuk mendoj se u dëmtuam. Mendoj që ajo përvojë na pasuroi më shumë moralisht", tha Rama.
Burimi: abcnews
