Nga Shqipëria / E Enjte 12 Gusht 2021, 20:08

Grekja hyn në maternitet dhe i rrëmben foshnjën shqiptares

Në një maternitet të Athinës një nënë 45-vjeçare e dy fëmijëve, të moshës 4 dhe 10 vjeç, ka rrëmbyer një të porsalindur. Sipas mediave helene ajo e mbështolli me një triko dhe u largua me një taksi për t’ia paraqitur partnerit të saj të ri si fëmijën e saj.

Nëna 45-vjeçare kishte qenë shtatzënë, por kishte abortuar, megjithatë vazhdoi të pretendonte se ishte shtatzënë për muaj të tërë, duke mos dashur t’ia zbulonte këtë partnerit të saj. Këtë të fundit e mashtroi duke marrë shkas edhe nga fakti se ishte mbipeshë, ndërsa i tregonte ekzaminime të rreme mjekësore.

Gazeta Protothema shkruan se 45-vjeçarja për të çuar deri në fund planin e saj rrëmbeu foshnjën e sapolindur të një 28-vjeçareje shqiptare. Kjo e fundit lindi fëmijën e saj të dytë 10.30 të mëngjesit dhe u dërgua në një dhomë në katin e parë të maternitetit.

Në orën 4.45 të mëngjesit, 28-vjeçarja ra në gjumë pasi ushqeu fëmijën me gji. Pak më vonë, një zhurmë e çuditshme e zgjoi atë. Ajo pa një hije në korridor dhe pa krevatin e zbrazët pranë saj dhe foshnja që nuk ishte në të. Në panik kërkoi ndihmë. Infermierja vrapoi te porta e maternitetit për të parandaluar që dikush të largohej, ndërsa mamia përgjegjëse kontaktoi me telefon kompaninë private të sigurisë për të mbyllur të gjitha portat. 45-vjeçarja kishte rrëmbyer foshnjën në momentin që nëna dhe mamitë po flinin gjumë dhe u largua me një taksi.

Ajo i tha partnerit të saj se ajo lindi në një spital urgjent me operacion çezarian, por u largua sepse nuk donte të qëndronte në të. Ndërsa fqinja që kujdesej për fëmijët e saj lajmëroi policinë, pasi e dinte të vërtetën.

45-vjeçarja u arrestua dhe u dënua nga Gjykata Penale e Athinës me 9.6 vjet burg për rrëmbimin e një të mituri nën moshën 14 vjeç.