Nga Shqipëria / E Hënë 9 Gusht 2021, 14:02

Regjisori shqiptar: Ftoj të gjithë ata që e pëlqejnë Bregovic të shijojnë zërin e tij

Ftesa që i është bërë këngëtarit serb, Goran Bregovic për të performuar në Festën e Birrës në Korçë ka krijuar shumë polemika. Qytetarë të shumtë, ashtu si dhe personazhe të njohur të ekranit kanë reaguar të revoltuar duke bërë thirrje për bojkot.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar së fundmi dhe regjisori i njohur Pëllumb Kulla, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në koncertin e Bregovicit. Kulla i ka këshilluar ata që nuk e duan këngëtarin të mos marrin pjesë në koncert, ndërsa ata që e duan i ka këshilluar të vrapojnë të shijojnë artin dhe zërin e tij.

Postimi i plotë i regjisorit:

Është e turpshme kjo polemikë.

Aq sa mua më vjen turp edhe që nuk rri dot pa marrë pjesë, edhe në këtë zhurmërim.

Na tërheqin zvarrë ca njerëz me nevoja më të mëdha se ato muzikoret. Po na zvarritin në këtë terren të mirënjohur shqiptar, për një konflikt të ri shqiptaro-shqiptar.

Për këtë u vu edhe kjo flakë politike. Këtë e duan gjasmenacionalistët e shumtë, votahumburit gojëhidhur, që vërsulen në çdo zjarr dhe rreshtohen në anën e mosarsyes.

Në këto pak rreshta, dua përulësisht të ftoj një zgjidhje për të dy palët.

Nuk di që ai ta meritojë dënimin por, megjithatë, e dënoj artistin bosnjak Goran Bregoviç, edhe sikur atij antishqiptarizmi të mos t’i ketë shkuar nëpër asnjë sekondë. E dënoj duke iu kërkuar atyre që nuk e pëlqejnë, që të mos i shkojnë aspak, ta shohin dhe ta duartrokasin aty në festën e birrës në Korçë. Le ta lenë para mikrofonit me sheshin bosh përpara. Pa këmbë njeriu!

Nga ana tjetër këngëtarin e shquar me atë popullaritet marramendës, e përgëzoj për simpatinë që ka fituar nëpër Ballkan dhe botë dhe uroj që në Korçë, të jetë i rrethuar me sa më shumë admirues. Ftoj të gjithë ata që e pëlqejnë të vrapojnë të shijojnë artin dhe zërin e tij.

Unë do të jem mes tyre!…

Hej dreq! Nuk na u ndanë votimet ne, shqiptarëve!