Lionel Messi mbajti ditën e sotme një konferencë për shtyp. Me lot në sy, ai bëri të ditur se do të largohet përfundimisht nga Barcelona pas plot 21 vitesh dhe 35 trofesh.

Klubi po kalon momente të vështira financiare dhe nuk mund ta përballojë rinovimin e kontratës me Messin. Gjatë konferencës futbollisti u shpreh se nuk e kishte menduar kurrë dhe se nuk do donte të largohej nga Barcelona.

Përsa i përket të ardhmes, Messi tha se ka disa klube të interesuara që ai t’iu bashkohet, por asgjë konkrete deri tani. Ai nuk përjashtoi si mundësi Paris Saint-German, PSG.
"Unë gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë klub, për këtë fanellë. Nga dita e parë në të fundit dhe jam më se i kënaqur. Faleminderit njerëzve për dashurinë e tyre përgjithmonë. Do të më pëlqente të thoja lamtumirë në një mënyrë tjetër. Unë kurrë nuk e imagjinoja lamtumirën time, por nuk do ta kisha imagjinuar në këtë mënyrë. Do të më pëlqente ta bëja në fushë, të kisha dëgjuar një ovacion të fundit. Më mungoi publiku në pandemi. Po tërhiqem nga ky klub pa i parë në më shumë se një vit e gjysmë. Nëse do ta kisha imagjinuar lamtumirën, do të ishte me një stadium të mbushur.
Ndodhi kështu dhe, e përsëris, e vlerësoj dashurinë e gjithë këtyre viteve. Ne kishim kohë të mira dhe të vështira, por dashuria ndihej gjithmonë e njëjtë. Unë gjithmonë do ta dua këtë klub. Shpresoj se mund të kthehem për të qenë pjesë e këtij klubi në një moment. Shpresoj se mund të kontribuoj në mënyrë që ky të vazhdojë të jetë klubi më i mirë në botë. Jam i sigurt që kam harruar shumë gjëra, por kjo është ajo që mund të them tani, nuk jam në gjendje të mendoj dhe fjalët dalin.
Ka shumë momente, të mira dhe të këqija. Ndoshta, momenti i debutimit tim. Ishte fillimi i gjithçkaje, një ëndërr e bërë realitet. Kishim rënë darkod me Laportën për të rinovuar, por siç e tha ai, kjo nuk u realizua për shkak të La Ligës.
Shumë gjëra më kalojnë në kokë dhe jam i bllokuar. Unë ende nuk kam rënë në realitetin e largimit nga ky klub dhe ndryshimit të plotë të jetës sime. Kam qenë në ekipin e parë për 16 vjet. Për mua ishte gjithmonë e njëjtë dhe tani po fillon nga e para. Është një ndryshim i vështirë, veçanërisht për familjen sepse e di se si ndihen ata për këtë qytet. E di që do të jemi mirë dhe do të përshtatemi.
E ardhmja? PSG është një mundësi. Në këtë kohë nuk kam asgjë të rregulluar me askënd. Kur doli deklarata, kisha shumë thirrje. Ka disa klube të interesuara. Unë nuk kam asgjë të mbyllur, por ne po flasim.”
Unë jam rritur me vlerat e këtij klubi. Gjithmonë jam përpjekur ta trajtoj veten me përulësi dhe respekt. Shpresoj se do të njihem për këtë, përveç fushës. Që secili të më kujtojë ashtu siç dëshiron. Unë jam mirënjohës për karrierën që pata. Humbjet më bënë të mësoj dhe të rritem. Kam përjetuar më shumë gëzime sesa humbje. Festimet e titujve me njerëzit, me familjen. Falë Zotit kam shumë për të kujtuar.
Ky ka qenë momenti më i vështirë! Kam pasur shumë momente të vështira, shumë humbje, por kjo është më e hidhura.. Kjo nuk kthehet. Ky është fundi në këtë klub. Ndjej trishtim sepse nuk doja të largohesha nga klubi që e dua.
Barça një nga ekipet më të mëdha në botë. Lojtarët e mëdhenj do të vazhdojnë të vijnë. Lojtarët ikin dhe klubi është gjithmonë më i rëndësishëm se kushdo", ka deklaruar mes të tjerash Messi.
