Tenori i njohur, Ramë Lahaj humbi mbrëmjen e djeshme të ëmën, vetëm dy orë para koncertit të madh në Prishtinë. Ndonëse e dinte lajmin e hidhur, artisti nuk e anuloi koncertin, por performoi vetëm çerekun e asaj që kishte planifikuar.

Më tej, ai u largua duke deklaruar para spektatorëve "Ju kërkoj falje që duhet me mbyll më herët. As një e treta e koncertit nuk ishte, sepse dy orë para koncertit ka ndërruar jetë personi më i dashur për mua, nëna, por s’desha ta anuloj".

Këngëtarja Vesa Luma, e cila ka qenë e pranishme në koncert, e ka vlerësuar shumë veprimin e tenorit. Ajo ka publikuar në rrjete sociale një foto të tij me të ëmën, duke thënë se vetëm një artist i madh si ai e gjen forcën për të kënduar në ato momente të vështira.
"Ramë Lahaj humbi personin më të dashur, nënën e tij, vetëm dy orë para koncertit të madh në Prishtinë. Vetëm një artist i kalibrit të tij gjen forcën për të vazhduar koncertin me një profesionalizëm e kulturë të rrallë. Ngushëllime Ramë Lahaj. Nëna jote sonte ka kënduar bashkë me ty dhe me mijëra qytetarë në Prishtinë! Krenarë që të kemi", ka shkruar Vesa.





