Ftesa e këngëtarit serb Goran Bregovic për të performuar në Festën e Birrës në Korçë ka revoltuar qytetarët dhe artistët shqiptarë, të cilët prej ditësh kanë bërë thirrje për bojkot. Mirëpo, pavarësisht revoltës, Bregovic do të vijë në Shqipëri. Lajmin e ka konfirmuar nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, Benila Terova në një prononcim për “Gazetën Express”.

Ajo ka treguar se këngëtari e ka pranuar ftesën dhe do të performojë me 22 Gusht. Terova ka shtuar se Bregovic nuk ka pasur asnjë lloj pozicionimi kundër shqiptarëve apo kosovarëve.

“Ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregovic nga Festa e Birrës sepse refuzojmë të pozicionohemi politikisht në këtë debat. Nuk ka asnjë qasje politike pjesëmarrja e një këngëtari lindur në Sarajevë dhe që në njohurinë tonë para se ta kontaktonim për ta pasë pjesë dhe e kemi të saktë nuk ka pasur asnjë lloj pozicionimi as kundër shqiptarëve as kundër kosovarëve.
Kënga ‘Kalashnikov’ është përdorur mbase nga paramilitarët serbë por është kompozuar dhe është krijuar nga Bregoviq shumë më përpara kohës së luftës, kështu që ne nuk e tërheqim pjesëmarrjen e Bregovic nga Festa e Birrës.
Ai na ka konfirmuar pjesëmarrjen, ne kemi angazhuar një agjenci eventesh, janë prerë biletat, Bregovic është pjesë e një turi në Evropë vjen nga Kana ku ka koncertin, tek ne pastaj ka tre koncerte në Poloni për të kulmuar me një koncert në Moskë. Kështu që është mbyllur gjithçka për Bregovic janë mbyllur kontrata, janë prerë bileta avioni sepse ai vjen nga Franca sëbashku me orkestrën. Ai do të performojë ditën e fundit të Festës”, është shprehur Terova.

