Nga Shqipëria / E Premte 6 Gusht 2021, 18:06

Zbulohet kush e ftoi Goran Bregovic në Festën e Birrës në Korçë

Këngëtari serb, Goran Bregovic është ftuar për të kënduar këtë vit në Festën e Birrës në Korçë. Kjo ftesë ka revoltuar personazhe të njohur të ekranit shqiptar, por ashtu dhe qytetarët.

Administratori i Birra Korça, Dhimitri Zonja ka dhënë së fundmi një intervistë për “News24”, ku ka sqaruar se i gjithë aktiviteti organizohet nga Bashkia e Korçës dhe është pikërisht ajo që vendos dhe për të ftuarit.

“Këto ditë ka pasur disa spekulime dashakeqe lidhur me ftesën që i është bere këngëtarit serb Goran Bregoviç për të qenë pjesëmarrës në festën e përvitshme të birrës në qytetin e Korçës. Ne e dimë se festa e birrës në Korçë identifikohet si festa e Birrës Korça që është simbol i qytetit, por ky aktivitet nuk organizohet prej nesh. Është bashkia Korçë që vendos për gjithçka që ka të bëjë me festën, përfshirë edhe listën e të ftuarve. Ne jemi një nga subjektet pjesëmarrëse që kemi obligim përfaqësimin sa më dinjitoz të produkteve tona që i kanë sjellë Korçës këtë festë”, ka deklaruar ai.