Arilena Ara do të publikojë së shpejti albumin “POP ART” me 13 këngë. Njëra prej tyre është bashkëpunim me Gjoni Muharremajn, të njohur si Gjon’s Tears.

Së fundmi, Gjoni ka dhënë një intervistë për “Pushime on Top”, ku ka treguar se si është njohur me Arilenën, si dhe ka dhënë më shumë detaje nga bashkëpunimi i tyre.

"Unë kam nevojë t’i njoh shumë njerëzit kur bëj bashkëpunime, si përshembull Arilenën. Jemi takuar plot herë para se të fillojmë bashkëpunimin. Këngëtarë ka më të mirë se unë, por gjëja që na bën unikë është vetja jonë si humanë, a jemi të mirë si njerëz. Arilenën e kam njohur te ‘The Voice’, por nuk kemi folur shumë herën e parë kur erdhëm. Kështu që kur më ka thirrur në atë moment që edhe ajo ishte duke konkurruar për Eurovisionin, ishte një kënaqësi e madhe. Arilena më ka marrë te ajo bota e saj. Unë erdha si qershia mbi tortë, bëra pjesën time. Nuk e kemi shkruar këngën bashkë nga fillimi, ishte një eksperiencë shumë e re", ka rrëfyer këngëtari.




