Pas disa javësh në vendin tonë është shënuar një viktimë nga COVID. Është fjala për një 74-vjeçar nga Kurbini i cili sipas MSH, ka qenë i pavaksinuar. Ndërkohë që prej konfirmimit të variantit Delta në Shqipëri, numri i rasteve të reja ditore vijon të jetë i lartë. Në 24 orët e fundit janë shënuar 30 raste, nga 3316 testime të kryera në total.
Rastet pozitive janë identifikuar në këto bashki: 14 raste në Tiranë, 4 në Elbasan, 3 në Lezhë, 2 në Shkodër, nga 1 rast në Durrës, Kurbin, Korçë, Librazhd, Sarandë, Delvinë, Kuçovë.
Aktualisht janë 321 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin. MSH raporton se vihet re një rritje e rasteve të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim të specializuar 17 pacientë. Janë shëruar 8 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,174 që nga fillimi i epidemisë.
“Ministria e Shëndetësisë i bën apel qytetarëve të vaksinohen ndaj Covid19, për të mbrojtur veten dhe njerëzit e afërt dhe për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm. Vaksinat anticovid reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë te? lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Nëse dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127”, apelon MSH.
