Varianti “Delta” i Koronavirusit ka hyrë në Shqipëri, por deri më tani asnjë ndër të prekurit nuk është i shtruar në spital. Këtë e ka konfirmuar zv.ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini gjatë një interviste në “Log”.
“Kemi 21 mostra me variantin Delta. 6 prej tyre janë të vaksinuar me vaksina të ndryshme. Nuk ndryshon asnjë masë tjetër. Kemi një situatë e cila është duke u monitoruar.
Pavarësisht se Delta ka transmetueshmëri të lartë, respektimi i masave janë të njëjta. Transmetueshmëria është nga kriteret që bën që të gjithë strukturat të jenë në alert. Pavarësisht nga historiku, të dhënat që janë në sistem, kanë një historik të fillimit të shenjave në fund të majit. Dhe kuptohet që periudha e tyre në disa raste është mbyllur për shkak të klinikës së lehtë. Rastet aktuale kanë një klinikë të lehtë, nuk kanë klinikë të agravuar. Kanë shenja të përgjithshme virale.
Është shumë e rëndësishme të mos neglizhojmë asnjë shenjë. Rastet që janë të shtruar në spital janë të konfirmuar me COVID. Mostrat e dyshuara dërgohen drejt Berlinit. Nuk kemi të shtruar të përcaktuar me Delta të shtruar në spital. Shenjat e humbjes së nuhatjes apo shijes nuk janë gjetur në mënyrë sistematike te rastet me Delta. Diferenca është se nëse te rastet e mutacioneve të tjera, ose të infektuar me COVID, në këtë rast kemi rrufë, temperatura, dhimbja e fytit”, tha ajo.
