Nga Shqipëria / E Hënë 26 Korrik 2021, 14:02

Merret vendimi/ Varianti ‘Delta’ erdhi në Shqipëri, por a do të shtrëngohen masat?

Ditën e sotme Komiteti Teknik ka mbajtur mbledhjen e rradhës, ku është diskutuar rreth situatës së Koronavirusit në vend.

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se pavarësisht konstatimit të variantit “Delta” në Shqipëri, masat anti-Covid nuk do të ndryshojnë.

“U vu re që ka një rritje të lehtë të rasteve, shtrimet në spital vazhdojnë në nivele të qëndrueshme dhe më të ulëta në krahasim me rastet e reja dhe vazhdon që të mbetet numri i rasteve të shtruar dhe që kanë nevojë për kujdes spitalor janë të pavaksinuar. Rastet po rriten te personat që nuk janë vaksinuar.

Komiteti i Ekspertëve mendon se pavarësisht se është vërtetuar dyshimi për variantin Delta, mbrojtja është njëlloj dhe niveli i masave nuk ka asnjë arsye që të ndryshojë. Masat do të jenë po ato që kanë qenë më parë” tha ajo.