Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest në shtëpi” për Tire Alldervishin, ish-sanitarja e spitalit “Shefqet Ndroqi” e akuzuar për korrupsion.
Tire Alldervishi u hoq ai infermiere dhe i mori 8 milionë lekë të vjetra familjares së një pacienteje të infektuar me koronavirus. E sëmura gjatë komunikimeve me vajzën e saj i konfirmoi se për atë nuk po kujdesej njeri dhe fatkeqësisht ajo nuk ia doli që të fitojë betejën me Covid.
Vajza e të ndjerës, Eltjana Sinanaj në një intervistë për mediat është shprehur e pakënaqur dhe e tronditur me vendimin e Gjykatës. Ajo kërkon drejtësi, duke thënë se vdekja e të ëmës ka qenë vrasje me paramendim.
Sinanaj dyshon se Tirja nuk është fajtorja e vetme, por ka pasur dhe bashkëpunëtorë.
“Më duket i padrejtë vendimi me arrest shtëpie. Unë dua vetëm dënimin e asaj. Siç mami im sot nuk jeton më dhe unë nuk e shoh më, dua që ajo të marrë dënimin që meriton. Drejtësia të shkojë deri në fund për mamin tim. Jo vetëm mami im, por askush nuk e meriton atë që kaloi mamaja ime në atë spital dhe që sot është e pamundur edhe për mua që fëmijët e saj të rrinë me të, të jetojnë e të gëzojnë me të, të marrin erën e nënës vet dhe unë shkoj te varri mamit tim dhe puth vetëm emrin e saj. Më duket shumë e padrejtë. Unë kam dhënë fakte shumë konkrete. Jam e sigurt që nuk ka qenë e vetme. Spitali nuk më ka dhënë as oksigjen për mamin, kam shumë fakte për këtë. E kam blerë vetë sepse spitali nuk e përballonte. Dyshimi është në të gjithë stafin që ka qenë në atë kat, në pavionin e dytë, sepse Tirja ishte në pavionin e tretë, nuk kishte të bënte fare me mamin tim. Nëse doktoresha nuk ka pasur gisht, që unë jam e sigurt se diçka ka qenë, të paktën mua duhet të më vinte në dijeni. Arrest në shtëpi është shumë pak sepse për mua është vrasje me qëllim”, është shprehur ajo për "News24".
