Nga Shqipëria / E Martë 20 Korrik 2021, 02:02

'I thashë jam nga Kosova, ai filloi të qajë…', flet shqiptari që ndihmoi gjermanët

Lulzim Hajdaraj bashkë me vëllanë e tij Gëzimin, udhëtuan nga Këlni, drejt qytetit Bad Neunar të Gjermanisë, për t’iu dalë në ndihmë personave që u dëmtuan jashtëzakonisht nga përmbytjet që kanë përfshirë Evropën. Në një intervistë për Klankosova.tv, Lulzimi tha se të dielën në orët e vona të mbrëmjes janë kthyer në shtëpi, pas qëndrimit në qytetin i cili sipas tij, ishte përmbytur pothuajse i tëri.

“Ne shkuam në mëngjes dhe pritem gjatë në kolona për të hyrë në qytet”, tha Hajdaraj.

“Në katet e para, bodrumet ishin të prishura, kishte shumë baltë. Ne iu ndihmuam t’i hedhim jashtë të tëra. Ishte trishtim të shohësh ashtu një qytet të tërë të shkatërruar”, tha shqiptari nga fshati Abri i komunës së Drenasit.

“Ata u gëzuan që ne nuk e kishim harruar ndihmën e tyre që ata e kanë bërë në kohën e luftës dhe atë që shteti gjerman bën edhe sot. Një banor tjetër që e takuam na pyeti nga jeni, dhe ne i treguam që vijmë nga Kosova dhe kemi ardh t’iu dalim në ndihmë për këtë katastrofën që ka ndodhur. Ai filloi të qajë dhe tha disa herë ‘faleminderit nga ju që po na bashkoheni në këto momente të vështira”.

Lulzimi tha se bashkë me ta, ishin edhe 12 shqiptarë, banorë të qytetit Bad Neunar, të cilët ndihmuan vëllezërit kosovarë.

Të paktën 157 njerëz raportohet të kenë vdekur nga përmbytjet, duke përfshirë katër zjarrfikës.

Burimi: Klankosova