Nga Shqipëria / E Hënë 19 Korrik 2021, 10:10

'Të shtyhet orari për muzikën', pronarët në Lungomare i vënë 'kyçin' bizneseve për 24 orë

Bizneset në qytetin e Vlorës kanë paralajmëruar një protestë që do të nisë sot në orën 11:00 për të ndryshuar rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik pasi thonë se po dëmtohen ekonomikisht. Ata kanë vendosur që të mbyllin për 24 orë të gjithë shërbimet duke “i vënë kyçin” Lungomares. Bizneset po protestojnë për vendimin e orarit të kufizimit të muzikës deri në orën 22:00 dhe lëvizjet deri në orën 00:00.

Duke qenë se ka nisur sezoni turistik, ata kërkojnë që të ushtrojnë aktivitetin e biznesit edhe pas mesnatës për të gjithë pushuesit.

Mbrëmjen e kaluar, u zhvillua një aksion policor pasi bizneset në zonën e Lungomares vendosën himnin kombëtar në sinkron me njëri-tjetrin pasi kishte kaluar ora 22:00.

Protesta u pasua me aksionin e policisë që solli katër të shoqëruar, mes tyre edhe një grua.

Një prej punonjësve të policisë shoqëroi me forcë administratoren e një lokali në Lungomare duke e futur me forcë në furgon. Menjëherë pas këtij aksioni, pronarët dhe administratorët e lokaleve iu drejtuan drejtorisë së policisë duke protestuar për lirimin e të shoqëruarve. Policia vendosi të lirojë të shoqëruarit rreth orës 4 të mëngjesit, ndërsa ende nuk ka ndryshim vendimi për kërkesat e tyre.

Burimi: top-channel