Nga Shqipëria / E Premte 16 Korrik 2021, 12:12

Shpëtohen dy vajzat shqiptare në Gjermani që po i kërkonte i ati: Vetëm kemi qarë

Përmbytjet masive në Gjermani kanë marrë dhjetëra jetë njerëzish dhe shumë qytetarë janë raportuar të zhdukur. Mes tyre ditën e djeshme u raportuan edhe dy vajza shqiptare, të cilat po kërkoheshin me dëshpërim nga i ati.

Shefik Hyseni 46 vjeç u shfaq Live në BILD duke treguar se dy vajzat e tij, Laureta 13 vjeç dhe Altuna 17 vjeç ndodheshin në vendin e përfshirë nga përmbytjet dhe nuk kishte mundur të lidhej me to.

Fatmirësisht vajzat janë gjetur dhe ka qenë ndërhyrja nga ajri që ka shpëtuar Lauretën dhe Altunën. 

“Vetëm kemi qarë, tani na mbetet që të shikojmë se çfarë ka shpëtuar nga shtëpia jonë e mbuluar nga uji“, tha babai shqiptar për mediat gjermane.