Tuti Sejdiu, e shpallur "Miss Universe Kosova", i tronditi të gjithë me rrëfimin e saj se në moshën 13-vjeçare është përdhunuar e trafikuar nga disa persona. Në një intervistë për ATV Missi tha se kurorën ia ka kushtuar familjes së saj dhe veçanërisht babait, i cili ndodhet në burg pasi e shpëtoi.

Të shumtë ishin ata që u prekën nga ky rrëfim, ndër ta dhe aktorja dhe deputetja Adriana Matoshi, e cila publikoi një foto me bukuroshen dhe i dha mbështetjen e saj.

“Tuti Sejdiu, një çikë e fortë që vendosi me shpalosë historinë e saj në momentin që fitoi titullin e më të bukurës në ‘Miss Universe Kosova’! Qëllimi i saj nuk ishte titulli i më të bukurës, po prurja e drejtësisë në vend! Ajo tani është në duar të sigurta dhe me njerëzit që punojnë për të çuar në vend amanetin e saj! Një femër si ajo i duhet shtetit! E fortë, e bukur dhe shumë motivuese”, ka shkruar Adriana.

