Nga Shqipëria / E Mërkurë 14 Korrik 2021, 21:09

'Shumohuni, fokusin te familja', vazhdon Alfred Cako: Kanë doktoraturë e punojnë kamariere

Shkaktoi debate të shumta pak ditë më parë deklarata e Alfred Cakos në "Rrethi katror". Teksa fliste për barazinë gjinore, Cako u shpreh se femrat nuk kanë nevojë të bëjnë doktoraturë, por të mjaftohen me arsimin e lartë dhe masterin, pasi sipas tij detyra e tyre është të merren me familjen.

Madje Cako cakton dhe moshën "ideale" që femrat duhet të lindin fëmijë: 23-24 vjeç.

"Ç’ju duhet kjo doktoraturë femrave? Femrat një arsim të lartë normal dhe një master edhe të lindin fëmijët 23-24 vjeç"-shprehej Cako ndër të tjera.

Cako vazhdon të mbrojë mendimin e tij dhe sot i ftuar në "Abc e Pasdites", Ermali e pyeti për deklaratat e fundit në lidhje me familjen, karrierën dhe fenimizmin duke i thënë se: Nëse vajza jote do të bëj doktoraturë pas doktorature e pengon si baba?

“Jo absolutisht nëse vjen e natyrshme. Po unë do t’i them që mos u fikso pas doktoraturës; Nëse ti je talent i madh që do të bësh shpikje hyr bëj doktoraturë, por në qoftëse s’je në gjendje të bësh ndonjë shpikje rri pa doktoraturë. Ke plot që kanë e punojnë si kamariere”, tha Cako dhe iu drejtua publikut femëror: Shumohuni, mbani familjen, ky është fokusi!