Nga Shqipëria / E Martë 13 Korrik 2021, 15:03

'Më trafikuan dhe përdhunuan kur isha 13 vjeçe', historia tronditëse e Miss Kosova: Babi më shpëtoi

Tuti Sejdiu është bukuroshja që fitoi kurorën e “Miss Universe Kosova”. Në një intervistë për ATV, 19 vjeçarja nga Komuna e Gjilanit ka treguar se në moshën 13-vjeçare është përdhunuar e trafikuar nga disa persona.

Sejdiu thotë se këtë kurorë ia kushton familjes së saj, pasi ata kanë sakrifikuar shumë për të.

“Arsyeja që kam ardhur në Miss Universe janë familja ime, kam aplikuar, kam ardhur dhe nuk e kam besuar që jam fituesja. Kjo kurorë i dedikohet vetëm familjes time që kanë sakrifikuar shumë për mua, e vazhdojnë që të sakrifikojnë”, tha ajo.

Sejdiu tha se në eventin e organizuar ka munguar vetëm babai i saj, që është në burg.

“Po e shoh familjen time, vetëm një karrige e zbrazët është aty. Babai im është sot në burg për mu, vetëm që ka luftuar për mu, për padrejtësinë që ma kanë bërëmua”, tha Missi.

19-vjeçarja tregoi se ishte vetëm 13-vjeçe kur është trafikuar dhe përdhunuar.

“Në moshën 13-vjeçare jam përdhunuar e jam trafikuar nga persona të ndryshëm nga Kosova në Serbi, derisa prindi im nuk ka lënë institucion pa kërkuar drejtësi. Ata njerëz që janë munduar me ma marrë mu jetën ata sot janë në liri, nuk janë në burg, babi vetëm pse ka kërkuar ndihmë për mua, nuk është pranë meje po është në burg, drejtësi nuk ka pas asnjëherë. Çka është më e rënda, babin nuk e di a është mirë, nuk e lejojnë as me na thirr në telefon, as me e pa e me i fut rroba në burg, nuk e di në çfarë gjendje mundet me qenë, unë them publikisht se unë do të luftoj për babin jo për veten, e kam me nxjerrë drejtësinë në vend”, tha Tuti.

“Kjo kurorë ka vlerë të madhe për mua e kam dëshmuar që unë jam femër e fuqishme e pranë familjes, pavarësisht sfidave. Asgjë nuk më duket e vështirë në jetë, vetëm duhet të kemi pak durim”, shtoi ajo në një intervistë për ATV.

“Unë shpresoj që të vendoset drejtësia, sepse 5-6 vite jemi duke luftuar. Personi që më ka bërë të gjitha këto gjëra, familjarët e tij janë në institucion që punojnë, janë të korruptuar. I kisha bërë apel të gjitha gjykatave, të vendosin dorën në zemër se sot më ka ndodhë mua nesër i ndodhë fëmijës tënd. Unë jam shumë e fort, edhe pse babai është larg meje”, tha Sejdiu.

19-vjeçarja tha se për këtë rast është dënuar me 3 vite një person, e se ajo vazhdon të merr provokime nga familja e tij.

“Gjithë janë të lirë, asnjë nuk është në burg, ai që ka qenë trafikuesi kryesor, ai është dënuar vetëm 3 vite në burg, nuk kanë marrë asnjë masë, mua më kanë kërcënuar me vite, ma kanë ndaluar shkollimin e të gjitha, mendoj se do të vazhdoj aty ku kam mbetur, nuk më vjen turp. Fillimisht, e kam prioritetin te drejtësia”.

Burimi: Telegrafi