Ministria e Arsimit, Evis Kushi ka njoftuar ditën e sotme se viti i ri shkollor 2021-2022 do të nisë dy javë para datës zyrtare. Ky vendim është marrë pasi ka pasur mangësi në njohuri për shkak të mësimit online.
“Jemi të vetëdijshëm që ka pasur edhe mangësira në njohuri apo kompetenca të nxënësve. Për këtë arsye, në muajt e fundit kemi punuar intensivisht edhe me ekspertët e MASR dhe ASCAP për të hartuar një strategji se si t’i plotësojmë këto mangësi. Ne kemi vendosur që për vitin e ardhshëm 2021-2022, dy javë përpara datës zyrtare të fillimit të vitit shkollor, ne do të kemi mësimin plotësues në të gjitha shkollat tona. Ky do të jetë një plan fleksibël në varësi të nevojave specifike që ka çdo shkollë apo zyrë arsimore”, u shpreh Kushi në konferencën Kurrikula e Bazuar në Kompetenca dhe Zhvillimi Profesional i Mësuesve në Arsimin Parauniversitar.
