Sot hyri në fuqi në Hungari një ligj që ndalon materialet që mund të shihen si promovim i homoseksualitetit ose ndërrimit të gjinisë te të miturit. Parlamenti i Hungarisë e miratoi këtë masë muajin e kaluar. Më saktësisht ligji u ndalon fëmijëve dhe të rinjve librat, filmat dhe përmbajtjet që flasin për seksualitet tjetër, përveç heteroseksualitetit.

Kritikët e kanë parë këtë ligj si sulm mbi të drejtat e komunitetit LGBT. Sipas tyre, ligji i stigmatizon pakicat seksuale.
“Ne nuk mund të qëndrojmë mënjanë derisa rajone të tëra e shpallin veten ‘zona të lira nga LGBTIQ’. Evropa kurrë nuk do të lejojë që pjesë të shoqërisë sonë të stigmatizohen”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një postim në Twitter.

“Kur ne ngrihemi për pjesë të shoqërisë sonë, ne ngrihemi për lirinë e shoqërisë sonë si e tërë”, shtoi ajo.

Ndërkohë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban thotë se ligji nuk është kundër homoseksualitetit. “Bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve dhe prindërve”, ka thënë ai.

