Nga Shqipëria / E Martë 6 Korrik 2021, 11:11

Flet e afërmja e 45-vjeçares: Artani e quante Klaritën princeshën e tij, nuk kishin debate

Familja dhe të afërmit e Klarita Ismalaja, e cila u qëllua dje për vdekje me thikë nga bashkëshorti i saj janë të shokuar nga ngjarja. Një e afërme jashtë kamerave e ka cilësuar autorin, Artan Ismalaja si vrasës gjakftohtë.

Sipas saj ata nuk kanë pasur probleme dhe se ai e quante gjithnjë si princeshën e tij. E afërmja po ashtu përjashton xhelozinë si motiv të vrasjes. Ajo thotë se më 3 korrik Klarita ka festuar ditëlindjen dhe të nesërmen kanë qenë në plazh së bashku.

“Nuk ishte rrugaç. Ai u bë një vrasës gjakftohtë me princeshën e vet sepse atë e ka quajtur gjithmonë princeshë. Nuk kanë pasur debate. Më rehat se këta nuk ka pasur të tjerë. Nuk ka qenë xhelozi. Ditëlindja e saj ka qenë me 3 korrik. Kanë festuar një ditëlindje të mrekullueshme. Të nesërmen kanë shkuar në plazh. Ndoshta kanë mbajtur kujtimet më të bukura të jetës së vet. të nesërmen në orën 10:00 jemi shokuar të gjithë,” shprehet e afërmja për ABC.