Nga Shqipëria / E Shtunë 3 Korrik 2021, 22:10

Syri i zjarrit/ 'Merr flakë' oqeani në Gjirin e Meksikës (Video)

E habitshme, por nga Meksika vijnë këto pamje: Flakë në oqean. Rrjedhja e gazit në një tubacion nënujor të premten ndezi oqeanin, por edhe internetin. Video e flakëve në mes të ujit u bë menjëherë virale në rrjet dhe disa e quajtën “syri i zjarrtë”.

Flakët në mes të oqeanit në perëndim të Gadishullit Jukatan u përhapën teksa kompania "Pemex" po punonte për nxjerrjen e naftës. Për shkak të një defekti në pompim, tubacioni i naftës u bllokua duke marrë zjarr në thellësinë 150 metra nën sipërfaqen e oqeanit. Me rrjedhjen sipër të gazrave, flakët u përhapën mbi ujë në formën e një llave rrethore duke krijuar iluzionin e një syri që digjej mbi oqean.

Zjarri u arrit të shuhej pas disa orësh dhe shpërthimi fillestar nuk la të lënduar.