Nga Shqipëria / E Enjte 1 Korrik 2021, 13:01

Varianti Delta i Koronavirusit në Shqipëri? Flet ministrja Manastirliu

Në seancën e sotme të Kuvendit, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se varianti Delta i Koronavirusit nuk ka hyrë ende në Shqipëri.

Megjithatë, ajo ka theksuar se duhet të tregohet kujdes maksimal, pasi ky variant vlerësohet shumë më infektues se variantet e tjera.

"Është e vërtetë që situata në vendin tonë ka tregues pozitiv prej 15 javësh, me një rënie të qëndrueshme të të gjithë indikatorëve. Por ka një alert, që doja të sillja në vëmendjen tuaj është alarm për shkak të variantit të ri Delta, që është identifikuar në vendet e Rajonit. Nga OBSH vlerësohet si një variant i ri, por që ka ngjallur shqetësim duke vlerësuar se është shumë më infektues se variantet e tjera që kanë dominuar deri më tani. Ndaj kërkohet një kujdes maksimal. Ne do të vijojmë të ndjekim rekomandimet e ekspertëve. Po vijojmë me lehtësimin gradual të masave antiCovid. Nga sot zgjatet ora policore deri ne orën 00:00. Ne po vijojmë ta ndjekim situatën në mënyrë të kujdesshme, dinamike, nëpërmjet gjithë rrjetit të survejancës dhe gjithë rrjetin e kujdesit Shëndetësor në vend për të patur një monitorim të kujdesshëm të territorit në çdo bashki. Në laboratorët tanë nuk është identifikuar asnjë rast me variantin Delta, por të gjitha strukturat e sistemit të survejancës janë vendosur në alert për kapjen e hershme të çdo rasti të dyshuar”, ka deklaruar Manastirliu.