Musaen Zeneli humbi jetën në ditën e tij të parë të punës si kamarier, të cilën e kishte nisur me dëshirën që në sezonin veror të mblidhte sa më shumë bakshishe për t’i ardhur në ndihmë të ëmës që e kishte rritur e vetme.
Historia e 20-vjeçarit ka bërë që shumë persona të ndihmojnë sadopak nënën e tij dhe së fundmi një gjest solidariteti kanë treguar edhe kolegët e tij në Shkodër.
Rehyl Toska, një nga kamarierët më të vjetër të Shkodrës ka hapur një nismë që të gjithë bakshishet që mbledh sot bashkë me kolegë të tjerë t’ia dhurojnë nënës së 20-vjeçarit.
"Përshëndetje unë jam Rehyl Toska, një kamarier në Shkodër. Marr shkas nga ngjarjet e djeshme që ka ndodhur në Shkodër ku mbeti I vrarë një koleg I joni në plazhin e Velipojës. I bëj thirrje menaxherëve, kamarierëve, administratorëve që të bashkohen me nismën time që bakshishet e sotme shkon për Muserinin. Atë bakshish që ai nuk arriti me realizu, sadopak me ia mbledh ne. Ju pres ose pranë ambienteve të lokalit ku punoj unë, ose numrin tim të kontaktit që t’i japim familjes së djalit, t’ia lehtësojmë. Ju përshëndes të tanëve, faleminderit”, thotë ai.
