Nga Shqipëria / E Mërkurë 23 Qershor 2021, 18:06

Historia rrënqethëse e shqiptares në Greqi: Burri më la jashtë lakuriq, na la pa ndjenja mua dhe djalin

Në puntatën e sotme të emisionit “Shqipëria Live” u trajtua historia e një 39-vjeçareje të quajtur Elvina Gjoka, e cila kishte përjetuar një dhunë çnjerëzore nga bashkëshorti dhe familjarët e tij.

Në moshën 17 vjeçare ajo ishte martuar me shkuesi me një emigrant në Greqi. Ata ishin zhvendosur për të jetuar atje, ku ishin bërë dhe me një djalë.

Elvina tregoi se bashkëshorti dhe familja e tij e kishin dhunuar prej vitesh, jo vetëm atë, por dhe djalin. Ajo tha se kishte raste kur i shoqi e nxirrte për të fjetur jashtë, madje lakuriq.

“Momentet më të kqija kanë qenë kur unë disa herë kam dashur të hidhem te urat në Greqi. Kam tentuar shumë herë vetëvrasjen se kisha aq shumë dhunë, sa nuk ka. Madje më ka rrahur edhe babin. Ai më tha shko bëj një deklaratë te policia, se kështu nuk jetohet. Sa mora rrugën bashkë me prindërit për në polici, ai dhe familjarët e tij më morën me zor, më futën në makinë edhe më ka shkulur një grusht flokësh ish-kunata. Unë kam humbur ndjenjat kur më kanë çuar në një shtëpi greke, shtëpia greke nuk më ka mbajtur. Më rrëmbyen, më rrahën, aty u detyrova u futa në banjo piva fotoksinë. Aty kam nejt një orë me gjak prej hundësh e prej goje, pastaj më kanë çuar në spital. Tre ditë e tre net kam qenë pa ndjenja fare. Ai më tha nuk të ngacmoj më, thashë shyqyr u qetësua gjendja. As nuk zgjati dy javë dhe ai filloi sërish me dhunën. Përpos burrit më kanë dhunuar familjarët e tij. Ka pasur raste kur më mbyllte derën dhe më linte në rrugë, flija pas dere. Ka pas raste, mua më vjen turp ta them, por më ka nxjerrë dhe lakuriq në rrugë. Torturat që kam kaluar unë i ka kaluar dhe djali, djalin e ka lënë pa ndjenja. Aty nuk durova më, erdhëm këtu, mora motrën në telefon dhe i tregova gjithçka. I thashë se dua ta denoncoj, e denoncova por ai iku direkt”, rrëfeu 39-vjeçarja, e cila sot është në proces divorci.