Nga Shqipëria / E Diel 20 Qershor 2021, 16:04

'Haja buburreca, më rrihnin me grushta...', rrëfimi tronditës i Marias që u rrit në jetimoren e Vlorës

Të ftuar në rubrikën “Ka një mesazh për ty” tek "E Diela Shqiptare" ishin sot Yzeiri dhe dy fëmijët e tij Ermira dhe Armando. Ata kanë rrëfyer për historinë e braktisjes së së vajzës së vogël Afërdita, 8 muaj pasi ka lindur, pasi nëna e saj pati probleme psikike dhe nuk kishte kush kujdesej për të.

Yzeiri tregoi se vajzën e lanë në jetimoren e Vlorës dhe kur vendosën ta merrnin, nuk e gjetën më.

Stafi i programit “E Diela Shqiptare” e kishte gjetur vajzën e Yzeirit, e cila ishte birësuar nga prindër italianë. Ajo ka ndryshuar dhe emrin dhe quhej Maria Pia Malteze. Afërdita Dule vjen ne studio e cila flet në gjuhën italiane sepse është larguar shumë e vogël nga Shqipëria.

Ajo tregoi fëmijërinë e vështirë duke e quajtur "Aushvic" periudhën në  jetimoren e Vlorës.

"Nuk më trajtonin mirë, më vinin në punë, më vinin me shumë fëmijë në dhomë, bënim çfarë thoshte edukatorja, përndryshe na ndëshkonin nëse nuk e bëja, më rrinin ose më vinin në izolim pa ujë dhe pa ushqim. Isha 6 vjeç dhe nuk do i harroj dot kurrë këto gjëra. Mbaj mend që dhe shumë fëmijë të tjerë qanin nga uria, unë nuk haja atë që hanin edukatoret. Unë haja lëkura patatesh, lëkura shalqiri, makarona dhe bukë të ndenjur që ato hidhnin në mbeturina. Nuk më jepnin asnjë gjë tjetër për të ngrënë, unë vidhja për të ngrënë. Atë që shihja në rrugë, përtokë. Unë haja dhe buburreca, nuk kam turp ta them. Dilja të vidhja natën për të ushqyer fëmijët që ishin më të vegjël se unë, ishim rreth 50 fëmijë dhe të gjithë ishim kështu. Po, unë nuk e quaj institucion por si luftë. Edukatoret na rrihnin me grushta, gjemba trëndafilash nëse nuk bëja ashtu siç thoshin ato. Unë isha shumë e dobët, isha nën peshë, në moshën 7-vjeçare peshoja 16 kg, kisha gojën e shtrembër, sytë e shtrembër nga kequshqyerja. Nuk më lanin kurrë, kisha morra. Unë nuk ia uroj kurrë kujt këtë histori. Cila nënë do ta braktiste të bijën që ta trajtonin kështu? Ky është mllefi im, pyes veten pse nëna nuk vinte për të më marrë", tregoi me lot në sy Maria. 

Maria tregon se edhe gishtat i ka të shtrembër sepse gjithmonë i vishnin të njëjtat këpucë edhe pse këmba i rritej.