Nga Shqipëria / E Mërkurë 16 Qershor 2021, 09:09

37-vjeçarja nga Dibra: Më rrahu burri me vjehrrën dhe kunatën, përfundova te Ushtaraku

Një 37-vjeçare e quajtur Elmie, nënë e katër fëmijëve, ishte së fundmi e ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan. Ajo rrëfeu historinë e saj të vështirë mes dhunës.

37-vjeçarja ishte ndarë nga burri dy vite më parë, por jo ligjërisht, pasi ai e dhunonte bashkë me nënën dhe motrën e tij. Një herë ata e kishin rrahur aq keq, sa Elmia kishte përfunduar në spitalin Ushtarak.

"Nuk punonte, luante bixhoz, vjehrra nuk ishte e mirë, fuste konflikte në shtëpi. Një herë më rrahu burri së bashku me vjehrrën dhe kunatën dhe shkova në spitalin Ushtarak. Unë nuk mora as urdhër mbrojtje asnjë gjë", rrëfeu Elmia.

Më vonë ajo kishte nisur bashkëjetesën me dikë tjetër që ishte i ndarë nga gruaja dhe kishte dy vajza. Ata kishin vendosur të bashkëjetonin në shtëpinë e tij në Elbasan, mirëpo pas ca kohësh dhe ai ishte treguar i dhunshëm.

"Ishte dhe ky i dhunshëm dhe xheloz, morëm një lokal tonin aty dhe thoshte pse hyn në banak ky, ishte shumë i dhunshëm. I vdiq e ëma dhe ne morëm shtëpi në Vlorë me qira sepse kishte konflikte me familjarët. 100 mijë ishte qiraja dhe 80 mijë ishte lokali, punonim dhe jetonim. Pastaj filloi dhuna, ishte shumë xheloz dhe pinte shumë", tregoi ajo.

Nga kjo bashkëjetesë kishte ardhur në jetë një fëmijë tjetër, por e lodhur nga dhuna dhe xhelozia, Elmia ishte larguar nga bashkëjetuesi.

Sot ajo jeton me 4 fëmijët e vetme në Tiranë, në një shtëpi me qira dhe për momentin është e papunë.