Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Qemal Mici” në Durrës, ku raportohet se prindi Fjoralba Rusa dhe mësuesja Valentina Jance janë përplasur fizikisht.

Pas një zënke të fëmijëve të tyre, janë rrahur edhe nënat me njëra-tjetrën. Fëmija i zonjës Rusa është me aftësi ndryshe dhe sipas saj, mësuesja Jance e ka dhunuar verbalisht.

Ngjarja është denoncuar për emisionin “Stop”, ku Fjoralba Rusa ka treguar si ka ndodhur ngjarja. Ajo ka deklaruar se mësuesja e ka gërvishtur dhe e ka ofenduar me një fjalor banal.
“Ditën e premte po prisja djalin për ta marrë nga shkolla, aty ka ardhur mësuesja Valentina Janca dhe filloi duke bërtitur. Më tha që “çuni jot më ka ngacmuar gocën”. Filloi me ofendime me gjuhë banale që nuk mund të flitet. Pastaj erdhi çuni me mësuesen dhe e kapi nga koka i hodhi kapelën. Pastaj më kapi mua më gërvishti këtu dhe më ofendoi me një fjalor degradues. Është hera e katërt që arriti puna deri në degradim fizik, që t’i gjuajë një mësuese prindit. Nuk ka lidhje fare veç ka vajzën në klasë me fëmijën tim. Asnjë lidhje tjetër. Mësuesja hyn dhe del në klasë sa herë t’i teket", është shprehur ajo.

Gazetarët e “Stop” kanë takuar dhe drejtorin Eduart Prenga, i cili e ka pohuar zënkën, mirëpo duke thënë se mësuesja ka qenë në rolin e prindit pas përfundimit të procesit mësimor.
“Është e vërtetë, pas përfundimit të procesit mësimor, ka ndodhur mes zonjës dhe mësueses, që në rastin konkret është prind, ka ndodhur një përplasje verbale dhe fizike. Ne kemi raportuar në organet kompetente. Mësuesja ka vajzën në atë klasë, ashtu si zonja dhe mësuesja ka fëmijën në atë klasë. Nga prindi më është thënë që mësuesja të mos futet më në klasë pasi fëmija ka një lloj fobie prej saj. Pas kësaj mësuesja nuk ka shkuar më në atë klasë", ka treguar ai.

Ndërkohë, vetë mësuesja Valentina Jance e ka mohuar ngjarjen.
"Prindi me mua nuk ka patur asnjë konflikt. Të mbaj përgjegjësi vetë, se ku i ka bërë shenjat, të mbajë përgjegjësi vetë! Unë nuk futem fare në atë klasë. Nuk më është tërhequr asnjëherë vëmendja. Hap kamerat!", ka deklaruar ajo.

