Nga Shqipëria / E Diel 13 Qershor 2021, 16:04

‘Erdhi ky katunari nga Erseka’, Erion Isai dhe Ajlin Petrela tregojnë si janë njohur

Erion Isai dhe bashkëshortja e tij, Ajlin Petrela ishin sot të ftuar në rubrikën “Gjysma ime”, në emisionin “E Diela Shqiptare”. Ata rrëfyen historinë e tyre të njohjes, plot 11 vite më parë.

Gjithçka kishte nisur në Akademinë e Arteve kur ishin të dy studentë. Ajlin tregoi se asakohe nuk kishte asnjë pëlqim ndaj bashkëshortit, madje e quante “katunari nga Erseka”.

"Nuk kam patur asnjë lloj simpatie për Erionin. Po fare. Në kohën që unë e kam njohur Erionin, të paktën që më ra mua në sy në fakultet, ishte koha kur Erioni bënte “Tv Ersekën”. Ishte një grim skandaloz, Erioni me ato vetullat e atë mjekrën e shëmtuar më krijonte shumë antipati. S’kisha asnjë lloj simpatie për të. Madje, ai vinte në shkollë, bënte mësim dhe ikte, i thoja gocave që “ka ardhur katunari nga Erseka, bën tangërllëk në fakultet, hyn dhe del”. Ai në fakt vinte dhe shkonte në punë. Më dukej shumë mendjemadh dhe nuk kisha asnjë lloj tërheqjeje ndaj Erionit", tha ajo.