Ditën e sotme në Kongresin e 30 vjetorit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë shpalljen “Non Grata” të Sali Berishës.
Ai u shpreh se Partia Socialiste nuk ka asnjë interes që të merret me atë që bën Partia Demokratike me Departamentin e Shtetit. Rama e përmbylli me një fjalë të urtë “çfarë të mbjellësh do të korrësh”.
"Fushata ka mbaruar dhe PS ka fituar, ne kemi fituar dhe do kemi 4 vite kohë për të bërë akoma. Ç’na duhet ne se çfarë bën PD? Ç’punë kemi ne si i bën ajo zgjedhjet brenda saj, se si i kremton fitoren e zgjedhjeve të lira pa u numëruar votat? Çfarë na intereson ne se di apo s’di Partia Demokratike si e qysh ta lidhe kalin edhe në Portën e Departamentit të Shtetit, që të hingëllijë kali kundër narkoshtetit edhe në sallën e gjykatës së Parisit, që kali të dëshmojë kundër Departamentit të Shtetit? Ç’punë kemi ne? Çfarë të mbjellësh do korrësh thotë populli. Shqipëria veç për sherr dhe shamata s’ka kohë dhe energji për të humbur", tha Rama.
Kujtojmë se Berisha ka hapur një gjyq në Francë kundër sekretarit amerikan Antony Blinken.
