Nga Shqipëria / E Shtunë 12 Qershor 2021, 20:08

Gramoz Ruçi jep dorëheqjen e befasishme nga politika, zbulohet arsyeja

Ditën e sotme në 30 vjetorin e Partisë Socialiste kryeparlamentari Gramoz Ruçi dha dorëheqjen nga politika.

Ai tha se ka 30 vjet në politikë dhe ka ardhur koha që t’i japë fund kësaj maratone, duke premtuar se do vazhdojë të jetë një socialist i denjë dhe një gjysh i përkryer për mbesën dhe nipërit.

"Kur unë nisa këtë rrugëtim, 5-vjeçarët e 1990 sot janë 35 vjeç dhe janë këtu mes nesh, kur unë fillova këtë rrugëtim, 10-vjeçarët e 1990 sot janë 40 vjeç dhe janë këtu mes jush. Kur unë nisa këtë rrugëtim adoleshentët 15-vjeçarë sot janë 45 vjeç dhe janë këtu mes nesh, janë bërthama e Partisë Socialiste. Kam kaluar shumë sfida, jemi rrëzuar, ngritur e ringritur. Mirëpo sot ka ardhur koha që unë t’i jap fund kësaj maratone time 30-vjeçare. I falenderoj të gjithë socialistët e Fierit që më dhanë mandatin, që nuk do e mbaj më. Nuk do të kem ambicie për të qenë në asnjë organ ekzekutiv të partisë time që më ka dhënë kaq shumë në këto vite. Falenderoj Fatos Nanon dhe Edi Ramën që unë e kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtor i tyre. Të falenderoj me gjithë zemër çdo socialist, se ata kanë qenë mbështetja për mua.Të falenderoj bashkëshorten time, vajzën time, djalin tim, të cilëve u kam krijuar shumë shqetësime në këto 30 vite politikë. Do të jem dhe do të ngelem një socialist i denjë dhe një gjysh i përkryer për mbesën dhe nipërit e mi", u shpreh Ruçi. 

Burime për Newsbomb.al kanë bërë të ditur se kjo dorëheqje ka ardhur pasi stafi i tij i ngushtë i ka këshilluar që të mbajë përgjegjësinë e të mos marrurit 10 mandate në qarkun e Fierit.