
Presidenti Ilir Meta ka mbajtur konferencën e tij të parë pas shkarkimit nga Kuvendi. Ai u votua me 104 vota pro dhe 7 kundër.
Meta tha se ka qenë e gjitha një shfaqje për të hequr vëmendjen nga hetimi i krimeve zgjedhore. Ai u shpreh se ky Kuvend është faqja më e errët në historinë e Shqipërisë.
“Ka qenë një shfaqje për të hequr vëmendjen nga hetimi i krimeve zgjedhore dhe zbardhja e tyre, për të spostuar vëmendjen te fajtorë që nuk ekzistojnë. Nuk ekziston më një Kuvend i tillë. Në fakt s’ka ekzistuar asnjë sekondë. Është turpi i të gjithë atyre që e krijuan bashkë. Përjashtoj veten time nga ajo që ka ndodhur atë ditë që kam qenë në Gjermani dhe që ka ndodhur edhe në vazhdimësi. Është një ndër faqet e zeza, më të errëta në historinë e Shqipërisë dy vite e ca ai Kuvend. E nxorën edhe presidentin e Republikës në pritë sepse e lanë pa asnjë mbrojtje institucionale Republikën. Të votojnë në atë mënyrë sepse ju e dini që presidenti ndaloi në 8 qershor një gjakderdhje të programuar të 2019 që do të shërbente për të shpallur opozitën organizatë terroriste. Ju ka plasur cipa fare sa euro kanë marrë për shkarkimin e presidentit. Kanë patur shumë arsye për të bërë këtë shkarkesë mllefi ndaj presidentit se ka penguar çdo veprim për të cenuar sovranitetin. Kanë shumë të drejtë se u mësuan keq me 120 deputetë kartonngritësa", ka deklaruar Meta.