Nga Shqipëria / E Diel 6 Qershor 2021, 14:02

Vrasja e dhëndrit nga vjehrri, flet kushëriri i viktimës: Një ditë para krimit na erdhën në banesë

Kushëriri i të ndjerit Kudret Saliaj, i cili u vra dy ditë më parë nga vjehrri, ka dhënë një deklaratë për "Fax News".

Ai është shprehur se deklaratat e bëra nga bashkëshortja e Kudretit, Dhurata dhe nga babai i saj janë një mashtrim. Kushëriri i tij ka kërkuar nga Prokuroria që të marrë dosjen e plotë dhe të hetojë mirë ngjarjen, duke shtuar se Dhurata është dënuar për dhunë në familje dhe mbi të rëndojnë dhe akuza të tjera.

Në deklaratën e tij ai ka rrëfyer se Kudreti kishte kërkuar mbrojtje prej sulmeve të së shoqes.

“Të merret dosja në prokurori. Ajo është e dënuar për dhunë në familje. Ka akuza të tjera të cilat nuk janë shqyrtuar nga prokuroria. Ka vendime të gjykatave. 3 fëmijët ndodhen në banesën ku jetonte Kudreti.  Janë të pavërteta deklaratat e tyre (Mexhitit dhe bashkëshortes). Ditën para vrasjes na kanë ardhur në banesë, Kudreti jo vetëm nuk e ka sulmuar dhe dhunuar atë, por ka kërkuar mbrojtje prej saj. Ka kërkuar forma të ndryshme për ta larguar. Goca 9 vjeç djemtë 12 dhe 16 vjeç janë të traumatizuar.

Ne nuk na duhet dalja para mediave, ajo që është bërë është bërë, çfarë zgjidh dalja jonë? Pesha më e madhe jona janë fëmijët tani, Kudretin e përcollëm të shkretin, kujdesi ndaj tyre. Ata le të dalin në media, s’di ç’të them për ta, ne i kërkojmë drejtësisë të japë drejtësi.  Pretendimi i saj se është dhunuar nga Kudreti e apo shenjat që ka treguar, s’është e vërtetë. E dimë ne dhe e di edhe ajo e prokuroria kush ia ka bërë shenjat asaj. Janë historira të vjetra. Pyeteni avokatin që u plagos, ai e njeh dosjen”, ka treguar kushëriri i Kudretit për “faxnews”, i cili nuk ka preferuar të dalë para kamerave.