Dy ditë më parë Mexhit Picari vrau ish-dhëndrin e tij, Kudret Saliajn, pranë Gjykatës së Tiranës. Ai u vu në pranga, së bashku me të bijën, e cila akuzohet si bashkëpunëtore.
Burime për “Abc News” kanë bërë të ditur se Picari dhe e bija, Dhurata Saliaj kanë vëzhguar për rreth 30 minuta para vrasjes të gjitha lëvizjet e viktimës.
Në deklaratën e tij para policisë Picari ka deklaruar se ka qenë i ulur i vetëm në një prej tavolinave të një lokali. Sipas tij, Kudreti është afruar dhe e ka sharë. Më tej ai ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar.
"Kam nxjerr armën, të cilën e kisha pa karikator. E kam mbushur, kam vendosur karikatorin dhe më pas kam qëlluar në drejtim të dhëndrit", është shprehur autori i krimit.
Deklarata e Picarit ka rënë në kontraditë me deklaratën e së bijës, e cila është shprehur se ka qenë bashkë me të atin në tavolinë.
Të hënën në Gjykatën Penale të Tiranës do të mbahet seanca për masën e sigurisë ndaj tyre.
Burimi: "Abc News"
