Evgjeni Baxho është 23-vjeçarja që humbi jetën në rrethana misterioze në Tiranë pak ditë më parë. Në trupin e pajetë të saj u gjetën të vizatuara disa simbole me ngjyrë të kuqe.
Të ftuar në “Abc e Mëngjesit”, Ervin Karamuça, ekspert i profilizimit kriminalistik dhe gazetarja Anila Hoxha u shprehën se ngjarja në fjalë jo vetëm që nuk ka ndodhur për shkaqe natyrore por është e radhës në një seri vdekjesh të dyshimta në kryeqytet.
Sa i përket simboleve që ishin vizatuar në trupin e Baxhos, Karamuça tregon: “Diagrama, nuk bënte përputhje me asnjë lloj simboli. Çdo ritual ka simbolet e veta. I njohin pak veta. Nëse do të ishte tatuazh boja do të ishte blu. Por ajo ishte e kuqe dhe në një sipërfaqe të madhe të trupit. E kuqja simbolizon gjakun. Mund të jetë edhe gjak…”
Eksperti është i bindur që vajza i është nënshtruar një rituali të fshehtë, dhe kjo sipas tij është një kambanë alarmi pasi nëse këto çështje vijojnë të mos hetohen deri në fund, shumë të rinj e të reja do të jenë në shënjestër të këtyre grupeve.
Sipas tij, në vendin tonë kanë penetruar persona që nëpërmjet sekteve apo ritualeve okulte, duke përfituar edhe nga mungesa e informacionit, po shënjestrojnë viktimat e tyre të radhës.
“Jam i bindur që vajza i është nënshtruar një rituali të fshehtë. Alarm i madh është pasiviteti policisë. Në raste të tjera, kemi parë viktima që kanë agjëruar dhe janë vetëflijuar. Duhet të ngrejë alarm edhe për krimet e mëparshme. Kanë filluar ta praktikojnë në Shqipëri, se jemi të prapambetur, kanë terren të pakufishëm për të abuzuar me të rinjtë me fëmijët. Kanë penetruar persona të caktuar nëpërmjet këtyre sekteve për t’i bërë këto rite.”
Ervin Karamuça thekson se është e rëndësishme që shteti të marrë masa sa shifrat nuk janë ende të larta, dhe të ngrihen grupe ekspertësh për të luftuar këto raste që po marrin jetë njerëzish.
Sipas tij 23-vjeçarja mund të jetë sakrifikuar nga një sekt apo grup i caktuar. Dhe sakrifikimi në këtë rast bëhet pa përdorur asnjë lloj arme apo mjeti tjetër.
“Ka disa praktika që kanë të bëjnë me frekuencat e trupit, për të ndaluar procese jetike në organizëm. Këta janë vrasës serialë…E kanë sakrifikuar. Kam dyshime që viktima do ketë tentuar të dalë nga rrjeti, dhe e kanë asgjësuar.”
Ndërsa, gazetarja Anila Hoxha që e ka ndjekur me interes rastin e Evgjenisë, thotë se ka folur me njerëz që e njihnin, të cilët kanë pohuar se e reja kishte nisur të izolohej.
“Evgjenia kishte lënë në mes studimet, kishte nisur një kurs për kompjuter. Kishte nisur ishte izoluar. Një kamerier e kishte ftuar për kafe, e kishte pyetur pse po mungon dhe ajo i kishte thënë se ishte sëmurë. Po e telefononin me insistim, qëndruam 15 minuta, dhe tha që duhej të çohej se do takonte një të afërm.”
Burimi: abcnews.al
