Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates Enkeleda Kapedani, pas disa videove të shpërndara në rrjetet sociale ku ajo shihet teksa bën sfilatë në ambientet e gjykatës.
“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E. K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.
Pas këtij lajmi, kryetarja ka ardhur me një reagim për mediat.
ABC mëson se krye gjyqtarja e Elbasanit ka mohuar të ketë shpërndarë vetë videot në “Tik Tok” ndërsa shton se dikush i ka keqpërdorur fotot dhe emrin e saj. Më tej ajo ka shtuar se ky është një skenar i përgatitur për të prishur imazhin e saj, ndërsa u ka bërë thirrje organeve të zbardhin ngjarjen.
Reagimi i Kryetares së Gjykatës së Elbasanit: Nuk kam Tik Tok, nuk kam përdorur kurrë rrjetet sociale. Dukush ka përdorur emrin dhe fotot e mia. Është skenar për të prishur imazhin tim. I bëj thirrje organeve të hedhin dritë për personat që kanë keqpërdorur imazhin tim.
