Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mirëpriti sot në zyrën e tij Gjon Muharremajn, i njohur me emrin e artit Gjon's Tears, të cilin e vlerësoi maksimalisht për arritjet, teksa i dhuroi “Kullën e Sahatit” në shenjë mirënjohjeje.
“Të kam ndjekur që kur ke qenë fëmijë edhe je shembulli i dikujt që i ka arritur gjërat me punë, me punë, me punë, me punë, me punë, me përpjekje. Një familje që ka sakrifikuar shumë për të të rritur, ama ia ke shpërblyer. Edhe kur të pashë edhe ty edhe Anxhelën dhe thashë: Vetëm Shqiptaria mund të çoj dy përfaqësues. Edhe histori suksesi që prodhon kudo ku shqiptarët e mirë që punojnë”, u shpreh Veliaj.
“Jam shumë krenar për ty edhe dua shumë që të jesh një shembull për djem e vajza të tjerë. Ti je shembulli që dikush duhet të punoj non-stop për ato 3 minuta në Eurovizion, 13 vjet për ato 3 minuta, kështu që të uroj shumë sukses. Shpresoj që do të kesh një kujtesë të kohës, ku ti punon dhe sakrifikon, por edhe të kilometrit zero ku i kemi rrënjët të gjithë. Kështu që ti ke gjysmën e rrënjëve të tua këtu në Tiranë, edhe mezi pres të vish e ta konsiderosh shtëpinë tënde”, vijoi Veliaj.
Gjoni falënderoi kryebashkiakun Veliaj për dhuratën, ndërsa tha se ndihet krenar që gjysmën e origjinës së tij e ka nga Tirana, pasi nëna e tij është lindur e rritur pikërisht në kryeqytetin shqiptar.
“Faleminderit shumë për këtë dhuratë, dhe për këtë simbolikë shumë të bukur. Ndjehem shumë krenar që e kam gjysmën time nga Tirana dhe e përqafoj gjithë fisin tim që është këtu. Faleminderit shumë”, u shpreh këngëtari.
