Nga Shqipëria / E Diel 30 Maj 2021, 09:09

Nga Xhoda te Jonida Vokshi: Aktorët e ‘H.O.T’ flasin për rolin e tyre në serial

Duke filluar nga vjeshta në ekran do të transmetohet seriali i parë i Ermal Mamaqit, i titulluar “H.O.T” (Humans of Tirana). Seriali ka si bashkëproducent Dritan Huqin, ndërsa si autorë Klaudia Brahimajn dhe Bjordi Mezinin.

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Soiree” ishin të ftuar një pjesë e kastit të “H.O.T”, mes të cilëve Jonida Vokshi, Irgen Çela, Megi Pojani, Ana Lika si dhe vetë Ermali. Ata u pyetën nga moderatorja Jonida Shehu rreth rolit të tyre në serial, por preferuan të mos zbulonin shumë, vetëm disa detaje të vogla, pasi janë ende në faza përgatitore.

“Në serial unë dhe Ermali jemi shokë, miq”, u shpreh Irgen Çela, teksa Ermali shtoi: “Xhoda është gjithë kohës aty me mua, por nuk zbulojmë se çfarë bën. Mund të themi që ky është nga këto njerëzit që të lë shtatzënë gjithë kohës, në serial po themi.”

“Nuk dua të zbuloj për personazhin pasi sigurisht që këto janë detaje që do të vijnë me daljen e serialit në ekran”, tha Jonida Vokshi. Megjithatë, teksa moderatorja Jonida Shehu e pyeti nëse do ketë rolin e një vajze të mirë apo të keqe, me fat apo pa fat, ajo u përgjigj: “Jam e ndryshme. Le të themi që ndryshoj”.

Aktorja Ana Lika nuk zbuloi asgjë rreth rolit të saj. “E di që ti ke shpresa te unë se i jap shumë gojës, por unë nuk flas dot se nuk kam marr lekët akoma”, tha ajo me shaka.

Megi Pojani u shpreh se në serialin “H.O.T” ka një rol që i përshtatet natyrës së saj, e për më tepër që në serinë e parë ka një debutim të madh. “Roli që mua më kanë dhënë, ose të paktën me aq eksperiencë sa kam pasur më parë, më përshtatet. Mua më shkojnë gjërat që janë brenda natyrës time, ose unë i kthej dhe i përshtas me natyrën time. Mendoj se kjo e bën më të thjeshtë për mua pasi unë aktore nuk jam. Unë kam që në serinë e parë një debutim të madh”, tha Megi.

Kujtojmë se përpos të lartpërmendurve pjesë e kastit të aktorëve janë edhe: Klea Huta, Inis Gjoni, Kastriot Çaushi, Gëzim Rudi, Amos Zaharia, Monika Lubonja dhe Erblin Bajko.

Regjisori dhe bashkëautori i “H.O.T”, Bjordi Mezini zbuloi se seriali tregon historinë e disa të rinjve, të cilët duke ndjekur ëndrrat e tyre bëjnë disa gabime dhe përballen me sfida, nga të cilat mësojnë dhe rriten.