Nga Shqipëria / E Shtunë 29 Maj 2021, 23:11

Pritet të thyejë ekranet shqiptare në vjeshtë, kjo është historia e serialit ‘H.O.T’

Mbrëmjen e sotme të ftuar në “Soiree” ishin një pjesë e kastit të serialit “H.O.T” nga Ermal Mamaqi, i cili pritet të transmetohet në ekran me ardhjen e vjeshtës.

Gjatë intervistës me Jonida Shehun, Ermali tregoi si ka lindur ideja për krijimin e serialit.

“Ishte një ftesë nga bashkëproducenti Dritan Huqi, atij i kishte ardhur një ide nga Bjordi Mezini. Unë e pranova se ishte momenti për të bërë diçka ndryshe”, tha ai.

Ndërkohë regjisori Bjordi Mezini, i cili ishte gjithashtu i ftuar, tha se ideja për të shkruar një serial i ka lindur para dy vitesh. Ai tha se në fillim kishte ngecur, por Ermali e kishte njohur me skenaristen Klaudia Brahimaj. Bjordi u shpreh se Klaudia mori idenë dhe e ktheu në diçka të vërtetë, në një serial të kompletuar.

“Para dy vitesh më lindi kjo ide. Doja të zhvilloja një histori mbi botën tonë dhe një ditë thashë po e shkruaj. Ka qenë pak e vështirë, sepse po jam regjisor shumë i mirë, por nuk është se jam skenarist kaq i kompletuar. Tani (Dritan Huqi) producenti im i asaj kohe, ne kishim ngecur sepse ishte situatë shumë e vështirë, një ditë të bukur më vjen me një dhuratë të bukur që quhet Ermal Mamaqi. Këtu fillon cdo gjë, Ermali e konkretizoi projektin, ne kishim kohë që mundoheshim dhe erdhi ky zotëria. Dhurata më e madhe më ka ardhur nga Ermali dhe quhet Klaudia Brahimaj, bashkëskenaristja ime. Klaudia mori një ide të cmendur dhe e bëri një gjë të vërtetë, të kompletuar, e bëri një serial që nuk i mungon asgjë", tha ai.

Regjisori tregoi se “H.O.T” ose “Humans of Tirana” është historia e disa të rinjve të cilët përballen me sfida.

Aktorët e serialit janë Jonida Vokshi, Ermal Mamaqi, Irgen Çela, Megi Pojani, Klea Huta, Inis Gjonin, Kastriot Çaushi, Ana Lika, Gëzim Rudi, Amos Zaharia, Erblin Bajko dhe Monika Lubonja.

Jonida Vokshi ishte po ashtu e ftuar në “Soiree”. E pyetur rreth rolit të saj, ajo preferoi të mos zbulonte shumë rreth sepse janë akoma në faza përgatitore, por u shpreh se të gjithë personazhet në serial janë të vizatuar shumë bukur dhe të dallueshëm nga njëri-tjetri.