Evgjeni Baxho, një 23-vjeçare nga Delvina u gjet e pajetë në banesën e saj në Tiranë me datë 18 maj. Shkaku fillestar u mendua të ishte një infeksion në dhëmballë, mirëpo në dokumentin e Policisë Gjyqësore janë zbardhur detaje të tjera.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar dokumentin në të cilin thuhet se në trupin e vajzës janë vënë re disa shkrime të panjohura të bëra me lapostil të kuq.
“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes është vënë re në trupin e kufomës, në pjesën e barkut një shkrim i panjohur, i bërë me lapostil me ngjyrë të kuqe nga kërthiza deri në pjesën e ezofagut. Po ashtu gjatë autopsisë në pjesën e shpinës së kufomës janë vërë re tre shkrime të tjera të panjohura, të bëra po ashtu me lapostil të kuq”, thuhet në dokument.
Po ashtu, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy telefona Samsung, një laptop, një tampon steril me ngjyrë të kuqe, një fletë format A4 e shkruar me stilolaps blu dhe disa fletë të tjera me simbole dhe figura të panjohura të shkruara me të kuqe dhe jeshile.
Burimi: "Top Channel"
