Nga Shqipëria / E Premte 21 Maj 2021, 23:11

Akuzoi policët, por dalin pamjet kur marokeni rrihet barbarisht nga kamarierët në Durrës (Video)

Ditën e sotme një shtetas maroken denoncoi në media se ishte dhunuar nga efektivët e policisë në Durrës. Elmedi Nouak tha për “Ballkanweb” se kishte hyrë ilegalisht në vendin tonë dhe kishte 5 ditë pa ngrënë. (Lexo këtu)

Mirëpo, “Report Tv” ka siguruar pamjet që tregojnë se marokeni është dhunuar nga dy kamarierë të një lokali në Durrës në sy të klientëve.

Në lidhje me rastin në fjalë ka reaguar dhe policia, e cila ka sqaruar se Elmedi Nouak është dhunuar nga kamarierët, pasi kishte shqetësuar klientët.

Njëri ndër kamarierët, si dhe marokeni janë shoqëruar në polici pas ngjarjes. Policia ka bërë të ditur se atij i është gjetur dhe një sasi e vogël cannabis sativa.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një ngjarje të publikuar në media se ndaj një shtetasi maroken është ushtruar dhunë nga ana e Efektiveve të Policisë Durrës, ju bëjmë me dije se:

Salla Operative e DVP Durrës, më datë 19.05.2021, rreth orës 07:30 është njoftuar nga Shërbimi i Urgjencës së Spitalit Rajonal Durrës për t’i ofruar mbështetje pasi kishin problem me një shtetas të huaj.

Menjëherë Shërbimi i Patrullës së Përgjithshme ka marrë kontakt me personelin e urgjencës, të cilët janë shprehur se shtetasi i huaj kishte qëndruar gjatë natës në spital për ndihmë mjekësore dhe në mëngjes është larguar, por është rikthyer përsëri duke shqetësuar personelin mjekësor dhe krijuar trazira në ambientet e urgjencës.

Në kushtet e mësipërme është bërë shoqërimi i shtetasit në fjalë në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, me gjeneralitete të vetëdeklaruarara, me shtetësi marokene, M.N, 29 vjeç.

Gjatë shoqërimit në komisariat te ky shtetas janë konstatuar shenja dhune dhe nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky shtetas është dhunuar nga shtetasi E. V., 30 vjeç, banues në Durrës, i cili punon si kamarier në një lokal në lagjen nr 6, Durrës.

Shtetasi E. V., është shoqëruar në ambientet e komisariatit për sqarime të mëtejshme ku ka deklaruar se shtetasi maroken kishte shkuar me sy të nxirë, në gjendje të dehur në ambientet e lokalit ku ai punon duke shqetësuar klientët.

Pasi i ka kërkuar të dalë nga ambientet e lokalit ai e ka kundërshtuar duke e goditur, dhe për vetëmbrojtje e ka goditur edhe shtetasi E.V., duke i shkaktuar dëmtime.

Shtetasi E.V është proceduar penalisht nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës për veprën penale ‘‘Plagosja e lehtë me dashje“.

Gjatë ditës nga qytetarë të ndryshëm është telefonuar në Sallën Operative të DVP Durrës të cilët kanë njoftuar se një shtetas i huaj në vendin e quajtur ” Sheshi Pranvera” është konfliktuar me kalimtarë të rastit.

Menjëherë ka shkuar Patrulla e Policisë, të cilët kanë konstatuar të njëtin shtetas maroken në gjendje të dehur dhe gjatë kontrollit të tij fizik i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Shtetasi maroken u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Prodhim dhe shitje te lëndëve narkotikeve”.

Në vijim të veprimeve grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamje filmike.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës garanton çdo qytetar që në rastin e lartpërmendur ka respektuar me rigorozitet të gjitha procedurat ligjore.