Ish-kryeministri Sali Berisha është shpallur "non grata" në SHBA, së bashku me familjen e tij. I ftuar në "Opinion" mbrëmjen e sotme, Berisha ka reaguar i revoltuar, teksa ka treguar se bashkëshortja e tij punon pa pagesë prej 15 vitesh në një fondacion për fëmijët autikë.
“Bashkëshortja ime ka punuar gjithë jetën e vetë në të njëjtën lagje dhe bashkëshortja ime nuk ka qenë kurrë anëtare e asnjë bordi për të marrë shtesë rroge. Ndoshta mund të jetë nga më të paktat që ka 15 vite që punon çdo ditë pa asnjë qindarkë me fondacionin për fëmijët autikë. Çfarë ka përfituar bashkëshortja ime. I ke përmendur tjetrit gruan, duhet të kesh ca baza kur ja përmend. Është e nderuar me çmime të larta të autizmit, të grave demokrate, të Kongresit amerikan”, është shprehur ai.
Ish-kryeministri ka folur edhe për fëmijët e tij, duke thënë se ata kurrë nuk kanë përfituar nga sektori publik.
“Djali im në jetën e tij ka marrë 3 ose 4 muaj rrogë në një ndërmarrje publike dhe nuk ka marrë kurrë më asnjë rrogë. Nuk ka përfituar qoftë dhe 1 qindarkë nga sektori publik. Pushteti im si Kryeministër shtrohet në sektorin publik. Ai nuk ka përfituar një qindarkë në sektorin publik. Vajza ime ka bërë bilancin, ata kanë punuar 7 vite në Kosovë dhe të ardhurat 7-vjeçare të të dyve arrijnë në 1 milionë e 400 mijë Dollarë”.
