Nga Shqipëria / E Diel 16 Maj 2021, 11:11

‘Meta ka hequr veten me sjelljen e tij të turpshme’, Spiropali: Ne do të bëjmë...

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka dhënë së fundmi një intervistë në emisionin “Kjo javë”, në News 24.

Ajo është shprehur se Ilir Meta e ka hequr vetë veten nga roli i Presidentit me sjelljen e tij të turpshme. Spiropali ka deklaruar se do bëjnë gjithçka që kanë në dorë për ta shkarkuar.

“Ne nuk jemi armiq, as drejtuesit e PD nuk janë armiqtë tanë. Një opozitë e shëndetshme do ishte gjë e mirë për ta dhe për ne, edhe për Shqipërinë. Ilir Meta është i hequr. Meta e ka përjashtuar veten nga roli i Presidentit me sjelljen e tij groteske, të pakuptueshme, me sjelljen e tij të turpshme. Nuk është në dorën tonë plotësisht shkarkimi i tij, ama ne do të bëjmë gjithçka që kemi ne në dorë për ta bërë të mundur që Presidenca të kthehet në ligjshmëri.

Meta është konfliktuar jo vetëm me ne, me qeverinë, që nuk i takon, por edhe me votuesit shqiptarë, me partnerët tanë, ka bërë deklarata të rënda. Ka ardhur koha që Meta të mos mbajë më turpin që ka lënë në Presidencë. Ne duam t’ia kthejmë Presidencën qytetarëve të vendit. Jemi të gatshëm që të dëgjojmë propozimet e PD për emrin e presidentit. Meta ka thënë se do të japë dorëheqjen nëse humbet zgjedhjet dhe nuk e ka bërë”, është shprehur ajo.