Nga Shqipëria / E Premte 14 Maj 2021, 15:03

Skandaloze: Të moshuarit në Prishtinë zvarriten për të arritur tek vaksinat

Radhët e gjata të të moshuarve tek Qendra e Vaksinimit kundër COVID-19 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë kanë shkaktuar reagime të shumta.

Në pamjet e publikuara shihen shumë të moshuar teksa zvarriten për të arritur deri te hyrja për t'u vaksinuar.

Ndonëse të pajisur me maska, distanca nuk mbahet dhe turma që shkon drejt qendrës së vaksinimit duket e madhe.

Ndërkohë një i moshuar tha për Klan Kosova se s’ka qenë kurrë i infektuar, por dyshon se nga turma e shkaktuar sot të jetë infektuar

"Prej orës 08:00 ka qenë tollovi e madhe, kanë qenë rreth 500 persona. Ka ardh policia dhe i ka shpërnda njerëzit nga tollovia që u bë. Numrin për vaksinim e kam marrë në orën 08:30 por ende nuk e di se kur do të vaksinohem. S’kam pasë kurrë virus mbase sot e kam marrë prej tollovisë këtu”.

Numri i madh i personave që po presin në radhë për t’u vaksinuar ka nxitur që të ketë edhe konflikte mes policisë, të moshuarve dhe familjarëve të tyre. Në një moment, një zyrtar policor i tha të moshuarve “nuk ka numra, shkoni te shtëpia”, që shkaktoi zemërimin e masës.