Nga Shqipëria / E Enjte 13 Maj 2021, 18:06

San Marino hap turizmin e vaksinimit: Ofron për turistët hotelin dhe vaksinën Sputnik

Republika e San Marinos ka vendosur të hapë turizmin e vaksinimit. Të gjithë turistët do të jenë në gjendje të bëjnë pushimet, si dhe të vaksinohen.

Duke filluar nga 17 Maji, turistët duhet të paguajnë 50 euro për të dy dozat e vaksinës dhe të rezervojnë hotelin në Titano 7 ditë para se të arrijnë në destinacion.

Kjo paketë pushimesh, e cila përfshin vaksinimin plus hotelin, parashikon injeksionin e vaksinës Sputnik që nuk njihet nga EMA.

Turizmi i vaksinimit në San Marino është i hapur për të gjithë, përpos italianëve. Kjo pasi ende nuk ka ndonjë marrëveshje specifike me Romën.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Ciavatta ka treguar për mediat se deri më sot në San Marino 22 mijë njerëz kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa 14 mijë i kanë marrë të dyja. Ai ka shtuar se në San Marino nuk ka asnjë të shtruar në spital si pasojë e Covidit.

Po ashtu, ai ka theksuar se sipas të dhënave të mbledhura vaksina ruse Sputnik është 100% efektive. 

Burimi: la Repubblica