Nga Shqipëria / E Mërkurë 12 Maj 2021, 16:04

Vrau shokun por tha se arma nuk ishte e tij, policia nxjerr në dritë të vërtetën

27-vjeçari Mehmet Qama u vra dy ditë më parë me armë zjarri, në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Marjus Dema, 28-vjeç, u dorëzua në polici si autor i krimit.

Ditën e djeshme “Ballkan Web” zbardhi dëshminë e tij para policisë. Ai kishte deklaruar se armën e kishte sjellë viktima, pasi e kishte gjetur në rrugë.

Deklarata e 28-vjeçarit:

“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën."

Mirëpo, veprimet e kryera nga policia kanë faktuar të kundërtën. Burime zyrtare pranë grupit hetimor kanë treguar për “Abc News” se arma i përkiste Marjus Demës dhe se ai kishte një vit që e mbante pa leje.

Këtë gjë e kanë vërtetuar dhe personat e tjerë të arrestuar me akuzën e moskallëzimit të krimit e që ishin dëshmitarë okularë.