27-vjeçari Mehmet Qama u vra mbrëmjen e djeshme me armë zjarri, në rrugën “5 Maji” në Tiranë. Marjus Dema, 28-vjeç, u dorëzua në polici si autor i krimit.
Gazetarja Dorjana Bezat ka zbardhur për “Ballkan Web” dëshminë e tij para policisë. Mësohet se 28-vjeçari ka deklaruar se armën e kishte sjellë në tavolinë vetë viktima, pasi e kishte gjetur në rrugë.
Sipas deklaratës së tij, Dema nuk ka qenë në dijeni se arma ishte e mbushur dhe “po luante” duke ua drejtuar shokëve.
“Armën në tavolinë e solli Mehmeti, na tha se e kishte gjetur në rrugë. Arma ishte pa karikatorë dhe e vjetër. Unë e mora pasi i kam qejf armët dhe po luaja me të e po ua drejtoja shokëve, sepse e konsideroja të padëmshme. Nuk e dija se kishte plumb brenda. Pas krimit u trondita shumë nuk e mbaj mend ku e lashë armën”, mësohet të ketë thënë ai në polici.
Ndërkohë, “Ballkan Web” ka siguruar pamjet nga kamera e sigurisë, ku 28-vjeçari shihet se i ka drejtuar armën shokut të tij.
