Nga Shqipëria / E Martë 11 Maj 2021, 12:12

Tragjike/ Po mblidhte lule, makina i merr jetën 5-vjeçares shqiptare në Greqi

Një aksident tragjik i ka marrë jetën një vajze 5-vjeçare me origjinë shqiptare, që jetonte në Greqi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në qytezën Lechaina. Mediat helene raportojnë se 5-vjeçarja Klaudia po mblidhte lulëkuqe në anë të rrugës në momentin e ngjarjes.

Një makinë e përplasi dhe e tërhoqi zvarrë për disa metra duke i shkaktuar dëmtime të rënda. Vogëlushja u dërgua me urgjencë në spitalin e Patras, por mjekët konstatuan vdekjen e saj.

Drejtuesi i mjetit u arrestua dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia.

Prindërit e 5-vjeçares punonin prej vitesh në sera. Ata jetojnë prej 30 vitesh në Greqi dhe ishin shumë të njohur për komunitetin lokal. Ata janë prindër edhe të një djali i cili studion në gjimnaz. Aksidenti tragjik ka shkatërruar familjen. Sikurse raporton shtypi grek, babai i 5-vjeçares nuk pranon ende që vajza e tij nuk jeton më. Ndërsa nëna dhe vëllai janë të tronditur.

Burimi: tvklan